
Pas përplasjeve pothuajse të dhunshme në parlament dhe retorikës së ashpër zgjedhore, duket se teksa numërimi po shkon drejt fundit, edhe palët po ulin armët.
Gjatë mbrëmjes, siç duket në një video të publikuar në Top Channel, drejtuesi politik i PS për Diasporën, Taulant Balla dhe sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, duken krah për krah teksa ndjekin numërimin e votave të diasporës në Parkun Olimpik.
Mes tyre nuk mungojnë as batutat. “Armëpushimit” i bashkohet edhe kreu i KQZ, Celibashi, i cili madje u bëri foto nga poshtë në sallë.
Tashmë që procesi po shkon drejt fundit, pamja që vjen nga Parku Olimpik është qetësuese për elektoratin, sidomos atë blu, që e ka parë Nokën pak muaj më parë në parlament t’i vërsulej si Tarzani Ballës, teksa pengohej nga Garda.
I vetmi peng tashmë mbetet vota e diasporës në Greqi, që është ende mollë sherri mes PD dhe PS, dhe për “casus belli” ka pikërisht faktin përse Balla ishte në Greqi pranë zyrave të DHL. Natyrshëm e quajmë “casus belli”, sepse Balla po kryente punën e tij në një moment kur dërgimi i zarfeve, për shkak të një anomalie në shërbimin e kompanisë së kontraktuar nga KQZ, nuk po i dërgonte ato tek shqiptarët.
Këtë gjë PD, që e ka “halë në sy” Ballën sepse Berisha e linçon në baza ditore pasi e dërgoi në gjykatë kreun e partisë për dosjen “Partizani”, natyrisht nuk mund ta kalonte as kësaj radhe pa e shfrytëzuar politikisht duke e transferuar krizën e stisur në Parkun Olimpik.
Tek e fundit, loja e demokratëve dihet. Këto janë taktikat e njohura Berishiane për të bërë “tokë të djegur”, duke shkaktuar kaos edhe aty ku nuk ka. /AIA.AL