
Një sasi mallrash të dyshuara si falsifikime është bllokuar nga strukturat doganore gjatë një kontrolli të detajuar në terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë inspektimit u gjetën veshje me marka të njohura ndërkombëtare, si Armani, Diesel, Boss dhe Calvin Klein, të cilat dyshohen për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Mallrat janë bllokuar dhe vulosur zyrtarisht pas verifikimeve nga njësitë përkatëse të pronësisë intelektuale, ndërsa po vijon procedura administrative për përcaktimin e origjinës dhe autenticitetit të produkteve.
Administrata Doganore thekson se vijon me vendosmëri kontrollet për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe parandalimin e hyrjes së produkteve të falsifikuara në treg, në funksion të tregtisë së ndershme dhe mbrojtjes së konsumatorit shqiptar.







