Një nga rajonet më të largëta dhe më të ftohta të globit po kthehet në një pikë të nxehtë të garës gjeopolitike mes superfuqive botërore, raporton BBC. Ndërsa akujt e Arktikut shkrihen me ritme të shpejta për shkak të ndryshimeve klimatike, fuqitë si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina po përshpejtojnë përplasjen për kontroll mbi këtë zonë strategjike.

Greenlanda, gur strategjik për SHBA
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA kanë interes të drejtpërdrejtë strategjik për kontrollin e Groenlandës, një territor autonom nën sovranitetin danez. “Na duhet Groenlanda për qëllime të sigurisë kombëtare,” ka thënë ai.

Pikërisht në veri të këtij territori ndodhet baza ushtarake amerikane në Thule – sot e quajtur Pituffik – që luan një rol kyç në sistemin amerikan të paralajmërimit të hershëm ndaj raketave balistike. Sipas ekspertëve ushtarakë, ajo është një “dritare strategjike” për mbrojtjen dhe goditjen e mundshme ndaj çdo rreziku nga veriu.

Megjithatë, ambiciet e Uashingtonit për më shumë kontroll mbi këtë territor kanë shkaktuar tension me aleatët evropianë, veçanërisht në Danimarkë dhe Kanada. Ideja e “blerjes” së Groenlandës, e përmendur nga Trump, është kundërshtuar fuqishëm nga zyrtarët danezë dhe kanadezë, duke vënë në pikëpyetje kohezionin brenda NATO-s.

Rusia: Investime ushtarake dhe kërcënime të reja
Rusia ka qenë më aktive dhe konsistente në Arktik gjatë dekadës së fundit. Ajo ka modernizuar bazat ushtarake në veri, përfshirë atë në gadishullin Kola ku ndodhen shumë nga nëndetëset bërthamore ruse dhe bazën ajrore Nagurskoye në arktikun ekstrem.

Për Moskën, Arktiku është thelbësor për mbrojtjen bërthamore dhe për projektimin e forcës. Por, ndërsa Rusia ka interes që të ruajë një nivel të ulët tensionesh për të mos shpërqendruar vëmendjen nga lufta në Ukrainë, retorika e saj agresive dhe prania ushtarake në rritje kanë shkaktuar alarm në vendet e NATO-s që kufizohen me Arktikun.

Sipas shërbimit norvegjez të inteligjencës, potenciali për përshkallëzim të konfliktit në këtë zonë është më i madh se kurrë më parë.

Kina dhe “Rruga Polare e Mëndafshit”
Kina, edhe pse pa dalje direkte në Arktik, është vetëdeklaruar si “shtet afër-Arktikut” dhe po rrit gjithnjë e më shumë aktivitetin e saj në rajon. Me ndryshimet klimatike që hapin rrugë detare të reja, Kina sheh në Arktik një mundësi për të zhvilluar një “Rrugë Polare të Mëndafshit” një korridor më i shkurtër për tregtinë drejt Europës në krahasim me kanalin e Suezit.

Për këtë qëllim, Pekini ka shtuar flotën e tij të anijeve akullthyese dhe ka zhvilluar bashkëpunime shkencore dhe ekonomike me disa vende arktike. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane shprehin shqetësim për një “normalizim” të pranisë kineze në rajon, ndërsa Rusia, edhe pse ka bashkëpunuar me Kinën në patrullime detare, është gjithashtu e shqetësuar për ndikimin në rritje të Pekinit në një zonë që e konsideron sferë të vetën ndikimi.

Lufta e fshehtë: spiunë, dronë dhe tension aleatësh
Përveç përballjeve të hapura ushtarake, Arktiku është gjithashtu një fushë e nxehtë për aktivitetet e inteligjencës. Rusia ka akuzuar vendet perëndimore për spiunazh, ndërsa vende si Norvegjia kanë raportuar për dronë të dyshimtë dhe arrestime të agjentëve të infiltruar. Në anën tjetër, SHBA janë akuzuar nga vetë aleatët e tyre, si Danimarka, për grumbullim të të dhënave të ndjeshme në territorin e Groenlandës.

Nga “tension i ulët” në fushëbetejë e hapur?
Dikur motoja për rajonin ishte “Arktiku i Lartë, tension i ulët”. Por ky realitet po zëvendësohet nga një logjikë tërheqjeje armatimesh, konkurrencë ekonomike dhe përplasje të fshehta. Ndërsa fuqitë e mëdha përplasen për territor, pasuri natyrore dhe ndikim strategjik, rreziku për një përplasje të madhe në këtë cep të ftohtë të botës po bëhet gjithnjë e më real./klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu