Janë zbardhur detaje tronditëse nga dosja hetimore për vrasjen e Ramazan Matajt, ngjarje e ndodhur më 5 janar 2025 në Postribë të Shkodrës. Sipas dokumenteve të siguruara nga Panorama.al, autori i dyshuar, Arjon Hasaj, ka rrëfyer me detaje mënyrën se si kreu krimin, duke pranuar se e qëlloi viktimën plot 18-19 herë me një pushkë 20-she.

Sipas hetimeve, shkak për vrasjen është bërë një marrëdhënie intime mes viktimës dhe motrës së autorit, Armelës, si dhe publikimi nga Ramazan Mataj i videove dhe fotove të saj intime. Kjo ka ndezur konfliktin që përfundoi me vrasje.

Dy-tri netë para ngjarjes pashë në Instagramin e motrës një video ku ajo ishte në makinën e Ramazanit. Më rëndoi shumë psikologjikisht,” ka deklaruar Hasaj. Ai më pas ka krijuar një profil fallco në Instagram, duke u hequr si vajzë për të futur në kurth 33-vjeçarin Mataj. Për ta bërë komunikimin më bindës, pagoi një vajzë rome që t’i dërgonte viktimës mesazhe zanore si grua.

Në natën e takimit fatal, Arjoni e priti Ramazanin në vendin e quajtur “Dragoç” dhe e qëlloi sapo ai u afrua me makinën e tij. “E qëllova 18-19 herë me pushkë dhe u largova me biçikletë. Askush nuk kishte dijeni, as nuk më ndihmoi njeri,” ka thënë ai, duke pretenduar se ishte i rënduar psikologjikisht.

Megjithatë, përgjimet ambientale në ambientet e Policisë së Shkodrës treguan se Arjoni dhe vëllai i tij Klismani diskutonin për ngjarjen dhe binin dakord të mohonin gjithçka nëse policia nuk gjente prova. Pas sekuestrimit të armës së krimit, 16 gëzhojave dhe municioneve, Hasaj pranoi autorësinë. Ai u arrestua në Muriqan, teksa tentonte të kalonte kufirin drejt Malit të Zi.

Motra e autorëve, Armela Hasaj, ka dëshmuar se kishte pasur një lidhje të gjatë me Ramazan Matajn dhe se ishte përndjekur e kanosur vazhdimisht prej tij, duke marrë disa herë urdhër mbrojtjeje nga gjykata.
E kisha bllokuar, por ai më shkruante nga adresa të rreme dhe shpërndante fotot e mia. Gjatë gjithë kohës kam qenë e përndjekur prej tij,” ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, babai i viktimës, Fatmir Mataj, ka treguar se djali i tij i kishte thënë se do të takonte “një vajzë nga Drishti me qëllime serioze”, por nuk iu përgjigj më telefonatave gjatë natës. Trupi i tij u gjet në mëngjes, pas njoftimeve në media.

Babai i autorëve, Rrustem Hasaj, ka mohuar çdo dijeni për armët dhe për profilin e hapur nga djali i tij në rrjete sociale.

Në dosje, Prokuroria e Shkodrës thekson se ka prova materiale që lidhin drejtpërdrejt Arjon Hasajn me krimin, ndërsa çështja tashmë i është kaluar gjykatës.
Hetimet pritet të vijojnë me marrjen e dëshmive të familjarëve dhe dëshmitarëve të tjerë që mund të ndriçojnë motivet e plota të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu