
TIRANË- Ish-kryeinspektori i IMT-së në Durrës, Ardian Halili është arrestuar nga policia për ndërtim pa leje. Halili dyshohet se në vitin 2017, kur ka mbajtur detyrën e kreut të IMT Durrës, ka ndërtuar pa leje, disa shtëpi pushimi, në fshatin Shetaj, Ishëm.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar arrestuan shtetasin A. H., 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në vitin 2017, kur ka qenë me detyrë kryeinspektor i IMT Durrës, ka ndërtuar pa leje, disa objekte (shtëpi pushimi), në fshatin Shetaj, Ishëm”, thuhej në njoftimin e policisë.
Sipas raportimeve, shtëpitë e pushimit në fjalë janë pjesë e resortit luksoz “Restorant Saint Michelle Camping Hotel”, në të cilin përfshihen edhe ambiente me pishina, palma dhe struktura të tjera shërbimi. Bëhet me dije se aktualisht Prokuroria dhe Policia e Durrësit po kryejnë hetime të thelluara, duke shqyrtuar dokumentacionin në Kadastër, pasi dyshohet se mund të jenë kryer manipulime ose shkelje ligjore gjatë procesit të regjistrimit dhe ndërtimit të kompleksit.
Ardian Halili u emërua në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Durrësit (sot IMT) më 7 maj 2018 dhe e mbajti këtë detyrë deri në prill 2021. Pasi la detyrën, Halili deklaronte se kontrata e punës iu ndërpre nga Bashkia që në fillim të marsit. Nga ana tjetër, bashkia e Durrësit deklaronte se ishte vetë Halili, që dha dorëheqjen. Ai e mbajti këtë post për rreth 3 vite dhe u zëvendësua nga Dorian Mema, kreu aktual i IMT Durrës./Dosja.al