
Europa po përjeton një prej episodeve më ekstreme të motit të dekadave të fundit, ku stuhitë shkatërruese dhe përmbytjet fatale në Itali janë ndjekur nga zjarre të fuqishme në Francën Jugore, Greqi dhe Turqi.
Në Lombardi të Italisë, një stuhi e fuqishme mori jetën e një gruaje 63-vjeçare, ndërsa përmbytjet mbyllën rrugë dhe tunele në Milano, duke bllokuar qytetin. Brenda dy orësh, qyteti u përmbyt nga 50 mm shi, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Ndërkohë në Francën Jugore, mbi 400 zjarrfikës, avionë “Canadair” dhe dhjetëra mjete janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët në rajonin e Corbières, ku temperaturat kaluan 40°C. Po ashtu, evakuime u kryen në kampingje dhe ndërtesa historike, teksa 84 rajone janë nën alarm portokalli për temperaturat ekstreme.
Në Greqi dhe Turqi, situata është po aq dramatike, me dhjetëra vatra zjarri që përhapen me shpejtësi, duke kërcënuar zona turistike dhe fshatra të tëra.
Meteorologët paralajmërojnë se nga mesi i javës pritet rikthimi i anticiklonit afrikan që do të sjellë një valë të re nxehtësie me temperatura që do të arrijnë deri në 40°C në pjesën jugore të Italisë, përfshirë Romën, Napolin dhe Sicilinë, ndërkohë që 21 qytete janë vënë tashmë në alarm të kuq.
Ekspertët paralajmërojnë se fenomenet ekstreme si këto do të jenë gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike, ndërsa Europa mbetet e papërgatitur për përmasat e emergjencave të tilla.