Publikimi i draftit të Kodit të ri Penal nga Ministria e Drejtësisë ka shkaktuar debate të forta mes juristëve dhe organizatave të shoqërisë civile. Dokumenti prej 952 nenesh është bërë publik në fund të korrikut dhe aktualisht ndodhet në fazën e konsultimeve.

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) i është drejtuar me një letër ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, ku kërkon rishikim të kujdesshëm të dispozitave problematike. Sipas tyre, drafti rrezikon të shkelë parimin e proporcionalitetit, të kufizojë liritë ekonomike dhe të cenojë fjalën e lirë. APL paralajmëron se zgjerimi i ndërhyrjes penale në fusha të trajtuara tradicionalisht nga e drejta civile ose administrative mund të sjellë pasoja serioze në marrëdhëniet tregtare.

Nenet më problematike

Neni 537: Parashikon ndëshkime për “tarifat e papërshtatshme të shërbimit”. Sipas APL, ky nocion është i paqartë dhe rrezikon të penalizojë ofruesit e shërbimeve, duke cenuar lirinë e tregut.

Neni 604: Klasifikon si kundërvajtje penale mospagimin e detyrimeve tatimore të vetëdeklaruara brenda afatit. Ekspertët theksojnë se nuk bëhet dallim mes shmangies së qëllimshme dhe vonesave të paqëllimshme, çka dëmton parimin e proporcionalitetit.

Neni 625: Mund të penalizojë konkurrencën e ligjshme, duke sanksionuar oferta alternative edhe kur nuk ka mashtrim.

Organizatat e shoqërisë civile shprehen se drafti përmban dispozita që mund të kufizojnë rolin e medias si kontrollues i pushtetit. Parashikime si dënime deri në 3 vite burg për “profanim” të simboleve shtetërore apo shpifje ndaj gjyqtarëve rrezikojnë të ngushtojnë hapësirën e fjalës së lirë. Sipas tyre, këto nene janë të paqarta dhe lejojnë interpretim subjektiv, duke hapur rrugë abuzimeve.

APL kërkon që procesi i miratimit të mos nxitohet, por të shoqërohet me diskutime të gjera ku të përfshihen profesionistë të drejtësisë, biznesi, akademia dhe shoqëria civile. Ekspertët theksojnë se Kodi i ri duhet të jetë në harmoni me standardet europiane dhe Kushtetutën, duke shmangur mbivendosjen e panevojshme të mekanizmave ndëshkues.

“Ky është një moment i rëndësishëm reformimi dhe ne jemi të gatshëm të kontribuojmë me ekspertizë dhe propozime konkrete. Kodi Penal duhet të shërbejë për ndërtimin e një sistemi më të drejtë, efikas dhe në përputhje me parimet e shtetit ligjor”, thuhet në letrën e Aleancës së Profesionistëve të Lirë./MONITOR

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu