Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako do të rikthehet në burg. Apeli konfirmoi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg të dhënë nga GJKKO dhe sipas përllogaritjeve, Dako, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” do t’i duhet të kryejë vetëm 10 ditë burg, pasi pjesën tjetër të dënimit e ka kryer në paraburgim.

Policia e Durrësit ka kryer ekzekutimin e vendimit për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dakon, në spital.

Sipas burimeve të Report Tv, Dako përfundoi në spital pasi mësoi vendimin që duhet të rikthehet në qeli, pasi i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 ditë dënim.

Sipas të dhënave, Dako ka pësuar aritmi dhe mori ndihmë në spital. Dako iu dorëzua Drejtorisë së Burgjeve.

Dako u arrestua në 6 qershor 2023. Ai u lirua në shkurt të vitit 2024 pasi i kaloi afati i paraburgimit dhe prej asaj kohe ka qëndruar në arrest shtëpie. Më 25 nëntor të 2024, GJKKO vendosi që ta dënonte me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre në dy raste.

Vendimi i kësaj të martë i marrë nga treshja e Apelit, Engert Pëllumbi, Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi, konfirmoi gjithashtu dënimin edhe tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku, me nga 2 vite burgim me gjykim të shkurtuar, dënime të pezulluara me shërbim prove nga GJKKO.

Vangjush Dako u dënua për shpërdorim detyre në 2 raste, në kohën që ushtronte postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 12 vite më parë në Durrës, që u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe kishin hyrë banorët, duke legalizuar 4 kate pa leje. Po kështu dhe vetë ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të miratuar nga Bashkia Durrës.

Ndërsa rasti tjetër i shpërdorimit të detyrës nga Dako lidhet me abuzimin me tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, të zbuluar nga KLSH, që I shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Vangjush Dakos i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë pesëvjecare./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu