
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, vijon të jetë i shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, në repartin e Infektivit, për shkak të problemeve shëndetësore. Burime bëjnë me dije se Dako vuan nga aritmia, gjendje ankthi si dhe hernie diskale.
Kujtojmë se pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit e Posaçme (GJKKO), e cila e dënoi me 2 vite e 8 muaj burg, Prokuroria e Posaçme (SPAK) lëshoi menjëherë urdhrin për ekzekutimin e vendimit. Megjithatë, duke përfshirë kohën e kaluar më herët në paraburgim dhe arrest shtëpie, Dakos i mbeten për të vuajtur vetëm 9 ditë burgim efektiv.
Policia shkoi në banesën e tij për ta shoqëruar drejt qelisë, por për shkak të gjendjes shëndetësore të konstatuar gjatë vizitës mjekësore, ai u transportua në spitalin e Durrësit, ku ndodhet aktualisht nën mbikëqyrjen e Policisë së Burgjeve.
Mësohet se ekzekutimi i vendimit të dënimit po kryhet në ambientet e spitalit, ku ai do të qëndrojë deri në përfundim të afatit të burgut./panorama