Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, foli mbrëmjen e sotme në një lidhje direkte  për emisionin Top Story në Top Channel, ku komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit lidhur me datën e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës.

Partia Socialiste nuk cakton data dhe nuk organizon zgjedhje. Ne jemi garues dhe respektojmë vendimet e institucioneve kushtetuese. Ajo që mund të them me përgjegjësi është se ne nuk komentojmë vendime gjykate, aq më pak të Gjykatës Kushtetuese,” tha Gogu.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës është procedural dhe lidhet me pezullimin e dekretit të Presidentit për të shmangur pasoja të pariparueshme, derisa çështja të shqyrtohet në themel. “Për Shtabin Elektoral të Partisë Socialiste nuk ndryshon asgjë. Ne vijojmë komunikimin intensiv me qytetarët e Tiranës për të folur për shërbimet publike, për hapësirat dhe për jetën në qytet,” shtoi ministri.

I pyetur nga gazetarja Grida Duma mbi strategjinë e PS nëse shqyrtimi i çështjes zgjatet, Gogu theksoi se partia është e përgatitur të respektojë ligjin dhe të vijojë punën me qytetarët:

“Ne do të respektojmë ndarjen e pushteteve dhe vendimet e institucioneve, por në të njëjtën kohë do t’i shërbejmë qytetarit 24 në 24. Tirana ka nevojë për një qeverisje aktive dhe komunikim të vazhdueshëm me njerëzit.”

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga studio Gogu sqaroi se Partia Socialiste nuk ka asnjë siguri apo ndikim mbi datën e zgjedhjeve:

“Presidenti dekreton, KQZ organizon. Ne përgatisim alternativën qeverisëse për qytetin.”

Në fund të intervistës, Gogu theksoi se mesazhi i dërguar strukturave të PS është i qartë:

Ne vazhdojmë punën dhe komunikimin me qytetarët për të faktuar alternativën qeverisëse të Tiranës me kandidaten për kryetare bashkie, znj. Ogerta Manastirliu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu