Kanberra, 3 maj 2025 – Kryeministri australian Anthony Albanese ka siguruar një mandat të dytë si udhëheqës i vendit, sipas rezultateve të para të zgjedhjeve të përgjithshme. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse Partia Laburiste ka fituar shumicën e plotë në parlament.

Sipas mediave lokale, rezultatet paraprake tregojnë një lëkundje të dukshme të votave kundër koalicionit opozitar Liberal-Nacional të drejtuar nga Peter Dutton. Një zhvillim i jashtëzakonshëm ishte humbja e vetë Dutton në zonën elektorale të tij, Dickson – një rast që nuk është parë për një lider partie në Australi që nga viti 2007.

Zgjedhjet u dominuan nga temat që prekin përditshmërinë e qytetarëve: rritja e kostos së jetesës, sistemi shëndetësor publik në krizë dhe vështirësitë për të siguruar strehim të përballueshëm. Ndikimi i presidencës së paparashikueshme të Donald Trump në politikën ndërkombëtare gjithashtu luajti një rol në prirjet elektorale.

Nëse Partia  Laburiste nuk arrin shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, pritet që një numër kandidatësh të pavarur dhe përfaqësues të Partisë së Gjelbër të majtë të kenë një rol kyç në formimin e qeverisë së ardhshme.

Ndërkohë, zgjedhjet në Australi nuk kalojnë kurrë pa “demokracinë e sallamit”, tradita e njohur ku votuesit shijojnë një sanduiç me sallam në vendvotime – një simbol i kulturës politike të relaksuar të vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu