
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare publike më 31 tetor 2025, në lidhje me ankimin e nga Erion Veliaj, kundër vendimit të Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij nga detyra.
Në njoftimin e saj, Gjykata Kushtetuese bën të ditur se, bazuar në nenet 21 dhe 38 të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, kërkuesi Erion Veliaj është vënë në dijeni me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 9 tetor 2025, për datën dhe orën e zhvillimit të seancës.
Ballanca në Komision: Projektligji “Për barazinë gjinore” garanton të drejtat e të gjitha palëve
Po ashtu, më 13 tetor 2025, Gjykata ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për marrjen e masave për shoqërimin e Veliaj në seancë, në rast se ai shpreh vullnetin për të marrë pjesë personalisht në gjykim.
Më pas, në datën 20 tetor 2025, pas konfirmimit të këtij vullneti nga kërkuesi, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”. Veliaj akuzohet në 9 raste për korrupsion pasiv. Gjithashtu akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.
Këshilli Bashkia vendosi shkarkimin nga detyra e kryetarit të Bashkisë të Erion Veliajt, vendim që kaloi tek prefekti dhe më pas në qeveri. Shkarkimi i Veliajt dhe vakanca në Bashkinë e Tiranës ju njoftua edhe Presidentit Bajram Begaj, i cili dekretoi datën e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë më datë 9-nëntor, por ky dekret u pezullua nga Gjykata Kushtetuese, e cila u vu në lëvizje nga Veliaj përmes një akese, e cila do të shqyrtohet të premten e 31-tetorit.







