
Shëngjin, 11 prill 2025 — Sot, në kuadër të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për menaxhimin e emigracionit, anija italiane “Libra” mbërriti në portin e Shëngjinit, duke sjellë 40 emigrantë të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil. Pas procedurave të identifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën e pritjes në port, emigrantët do të transferohen përkohësisht në kampin e Gjadrit, në pritje të riatdhesimit në vendet e tyre të origjinës.
Kjo është hera e katërt që anija “Libra” ankorohet në Shëngjin, si pjesë e zbatimit të marrëveshjes dypalëshe mes qeverive të Shqipërisë dhe Italisë. Më herët, në dërgesat e mëparshme, janë sjellë grupe më të vogla emigrantësh, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi.
View this post on Instagram
Ndërkohë, marrëveshja ka ngjallur debate në të dy vendet. Në Itali, opozita ka kritikuar koston e lartë të operacionit, ndërsa në Shqipëri, aktivistë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për kushtet e akomodimit dhe procedurat ligjore që ndjekin këta emigrantë.
Pavarësisht polemikave, autoritetet shqiptare dhe italiane vazhdojnë bashkëpunimin për menaxhimin e fluksit të emigrantëve dhe zbatimin e marrëveshjes së arritur mes dy vendeve.