
Fushata elektorale e Edona Bilalit në Shkodër ka prodhuar një shembull të qartë të një qasjeje të gabuar në komunikimin politik, ku në vend që të frymëzohet besimi i qytetarëve, abuzohet me ndjenjat më të thella njerëzore.
Në spotin e saj, përdoret skena e një të moshuari të sëmurë, i cili shpreson të mbijetojë deri në ditën e zgjedhjeve (11 maj), për t’i dhënë votën kandidatit të preferuar. Ky inskenim është perceptuar si një formë e rëndë manipulimi emocional, ku vota dhe vetë shpresa për jetë trajtohen si mallra të negociueshme.
Në fakt, kjo fushatë ngjason shumë me atmosferën e romanit “Frymë të vdekura” të Nikolai Gogolit: aty ku shpirtrat e njerëzve të vdekur shiteshin dhe bliheshin për përfitime personale, edhe këtu dinjiteti i qytetarit zhvishet nga çdo vlerë njerëzore dhe kthehet në një numër, në një premtim elektoral pa shpirt. Përmes një inskenimi të rëndë emocional, personi real, me ndjenjat dhe jetën e tij, zëvendësohet nga një votë e ftohtë, e instrumentalizuar.
Ky krahasim nënvizon tragjedinë e thellë të një fushate që në vend të përqafojë jetën dhe shpresën, përpiqet të kapitalizojë mbi frikën dhe sëmundjen. Reagimi i publikut ndaj këtij spoti ishte i menjëhershëm dhe i ashpër, duke e detyruar kandidaten të tërhiqet dhe të fshijë materialin e publikuar.
Megjithatë, dëmi është bërë: perceptimi që ngjalli ky veprim është ai i një politike që nuk ngjall më shpresë, por që, në përpjekje për të marrë çdo votë, nuk ngurron të shkelë edhe kufirin më të shenjtë midis jetës dhe vdekjes.