
Analizë e Financial Times
Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad, Siria po përballet me një betejë të re: zhdukjen e tregtisë së Captagonit (amfetaminë sintetike), drogës stimulante që u bë simbol i fuqisë dhe financave të regjimit.
Nën regjimin e Assad, prodhimi i Captagonit kishte kthyer vendin në një nga narco-shtetet më të mëdha të botës, duke financuar luftën civile me miliarda dollarë dhe duke përfshirë ushtrinë dhe milicitë pro-regjimit.
Ahmed, ish-ushtar sirian, tregon sesi përdorte kapsulat për të mbijetuar gjatë rënies së qytetit Damask, duke thënë se droga i siguronte energji për të përballuar rebelët. Tani, ndërsa Captagoni mungon, crystal meth është alternativa për të vazhduar jetën sociale dhe natën në Damask.
Edhe pse Ahmed ende merr herë pas here një pilulë në klubet e natës të Damaskut, Siria prej dhjetorit ka parë një kthesë të papritur, një luftë totale kundër drogës.
“Siria u bë një fabrikë kryesore për Captagonin,” deklaroi al-Sharaa në Xhaminë Umayyad të Damaskut menjëherë pas marrjes së pushtetit. “Dhe sot Siria po pastrohet prej tij, me mirësinë e Zotit të Madh.”
Rezultatet kanë qenë të shpejta. Prodhimi dhe trafiku kanë rënë deri në 80% sipas tregtarëve të drogës, autoriteteve ligjzbatuese, zyrtarëve rajonalë dhe studiuesve, ndërsa autoritetet kanë shkatërruar laboratorë e kësaj droge në bastionet e regjimit të mëparshëm dhe kanë asgjësuar miliona pilula.
Kërkesa për Captagon nuk ka rënë: pilula e lirë shitet për 30 cent në Damask, ndërsa versionet më të cilësisë së lartë arrijnë deri 30 herë më shumë në Jordani, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Forcat kundër narkotikëve përballen me korrupsionin në radhët e veta dhe me kontrabandistë të aftë, duke përdorur dronë, raketa dhe balona të kontrolluara nga distanca për të transportuar pilulat drejt kufirit me Jordaninë.
Ndërkohë, qytetarët dhe ish-ushtarët si Ahmed përballen me mungesën e shërbimeve të trajtimit të varësisë: Siria ka vetëm katër qendra për trajtim, ku shumica ofrojnë vetëm një periudhë dyjavore të tërheqjes nga droga. Çmimet e larta të Captagonit kanë shtyrë shumë përdorues drejt drogave më të rrezikshme, duke përkeqësuar krizën shëndetësore.
Ahmed përfundon: “Mes gjithë asaj që kemi kaluar, qeveria nuk mund të na ndalojë plotësisht. Droga do të gjejë gjithmonë rrugë të mbijetojë.”/tvklan