
Dy partitë e mëdha treguan listën e zgjedhur të njerëzve me të cilët do të përballen më 11 maj në zgjedhje.
Në përballjen mes PD dhe Koalicionit Madhështor të opozitës, përplasja do të jetë vetëm mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Ilir Meta është në burg dhe nuk është shumë serioze të merren parasysh se kryetarët e partive të tjera të kenë ndonjë vlerë të madhe elektorale në rang vendi. Nuk bëhet fjalë për Kujtim Gjuzin. Ai mbase me Jenisherin mund të jenë ndër të vetmit politikanë tek opozita që të kenë rekorde negative, mbase qesharakë por jo hajdutë, të korruptuar apo të përfshirë në aktivitete politike jo dashamirëse.
Pra mbetet vetëm Berisha që do përballet me Edi Ramën.
Që të dy e kanë ambicien dhe nuhatjen politike shumë të fortë por ndryshojnë nga mundësitë.
Berisha e nis me minusin e moshës dhe të Non Grata që nuk ka zbutur dot as këshilltari i Trump. Ndërsa Rama ka avantazhin e pushtetit dhe energjinë me të cilën merr para fushatat elektorale. Por edhe ai ka minuset e tij që e tërheqin poshtë si spiranca. Dhe ata janë të gjithë të korruptuarit e dënuar të qeverive të tij apo ata që janë nën akuzë në arrati.
Po për çfarë duhen në këtë garë elektorale listat e kandidatëve sepse ato janë tërësisht të emëruara të dy liderëve. Kandidatët e PS më 11 Maj janë në primaret e vërteta brenda PS.
Nëse Rama do mbledhë vota për të gjithë brenda atij thesi të madh do të përleshen mes tyre kandidatët e listave të hapura. Në Tiranë do jetë edhe përleshja më e madhe në të dyja kampet. Ndërkohë që primaret e PD u delegjitimuan. Aq sa çuan në pakënaqësi publike apo dorëheqje të emrave që kishin marrë më shumë vota në primare.
Edi Rama dhe Sali Berisha përballen për 11 Majin kush fiton e kush humbet.
Ndërsa listat e tyre të kandidatëve duket se janë krijuar për datën 12 Maj nëse ata dalin në opozitë.
Berisha në listat e tij ka futur besnikët dhe largoi ata që mund t’i kërkojnë llogari për humbjen. Por edhe Rama ka ecur në këtë drejtim. Ai i ka mbushur listat e mbyllura me të rinj që i janë borxhli që po i fut në politikë dhe besnikë të tij. Ndërsa ata që mund t’i hapin probleme duhet të djersisin e përleshën mes tyre për një vend deputeti.
Në lista shikon në fakt emra që ja vlen t’i përmendësh. Ardit Bido në Vlorë për PS. Kliti Hoti në Shkodër për PD.
Ndërkohë që do ishte mirë për cilësinë e Kuvendit që socialistët Tiranës të votonin Erjon Bracen dhe Fatmir Xhafën dhe demokratët të votojnë Ilir Alimehmetin dhe Jorida Tabakun.
Listat kanë edhe një lojë të pistë me emrat.
Për shembull socialistët kanë futur në lista 5 dezertorët e opozitës, Vasil Sterjovski në Korçë. Alban Zeneli në Kukës. Blendi Sulaj i Bashës në Tiranë. Nusret Avdulla ish kryetar i PDIU në Fier dhe deputet i PD. Halit Valteri në Tiranë edhe ish i preferuari i Metës dhe Monikës,Endrit Brahimllari./AIA.AL