
Nga amnistia penale e fundvitit do të lirohen në total 380 të burgosur, ndërsa 900 persona të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Lajmi u bë i ditur këtë të shtunë, më 28 dhjetor, përmes një postimi të kryeministrit Edi Rama, i cili ka shpërndarë fjalën e ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari lidhur me nismën e amnistisë penale, me rastin e festave të fundvitit.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, amnistia mbështetet në parimin e humanizmit, drejtësisë sociale dhe standardeve evropiane të drejtësisë, duke synuar uljen e mbipopullimit në burgje dhe një qasje më proporcionale ndaj dënimeve penale. Lamallari theksoi se kjo nismë nuk është një lëshim politik, por një politikë penale moderne, që synon rehabilitimin dhe sigurinë afatgjatë të shoqërisë.
“Në mbyllje të këtij viti, qeveria shqiptare ka ndërmarrë nismën për të miratuar një amnisti penale, një akt ligjor që bazohet tek humanizmi dhe drejtësia sociale. Ky është urimi më i mirë i fundvitit për përfituesit dhe familjet e tyre. Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale, por të investojë në rehabilitim dhe parandalim,” u shpreh ministri.
Në fjalën e tij, Lamallari sqaroi se aktualisht në sistemin penitenciar ndodhen rreth 5 mijë persona, mbi gjysma e të cilëve janë në paraburgim – një shqetësim i përsëritur edhe nga institucionet evropiane. Sipas tij, mbipopullimi në burgje nuk është shenjë force e shtetit, por dobësi e sistemit, të cilën kjo amnisti synon ta korrigjojë pjesërisht.
Nga zbatimi i amnistisë, sipas vlerësimeve paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të lirohen menjëherë, ndërsa 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Numri real i përfituesve pritet të jetë edhe më i lartë, duke përfshirë persona që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale apo nga masat alternative.
Ministri theksoi se ndër përfituesit përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore, ndërsa nga amnistia përjashtohen autorët e krimeve të rënda, korrupsionit dhe veprave me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Po ashtu, nuk përfitojnë subjektet e hetuara nga SPAK dhe të gjykuara nga GJKKO.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, efekti i amnistisë pritet të jetë i menjëhershëm:
– ulje e popullimit në burgje me rreth 7%,
– përmirësim i kushteve të trajtimit, sigurisë dhe rehabilitimit,
– më shumë respekt për dinjitetin njerëzor.
“Kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë i dhënë me përgjegjësi për ata që mund të rikthehen në shoqëri. Drejtësia nuk matet me numra, por me parandalim, rehabilitim dhe humanizëm,” përfundoi Lamallari, duke uruar edhe festat e fundvitit.







