
Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka komentuar situatën pas shkëmbimit të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit.
Ajo theksoi në një intervistë për Euronews Albania, se sulmi izraelit kishte tre objektiva të qarta, ndërsa shtoi se qytetarët izraelitë janë të ndërgjegjshëm për rrezikun dhe të përgatitur për t’u përballur me çdo kërcënim.
“Qëllimi i sulmit ishte: të ndalonim kapacitetet e tyre bërthamore, të ndalonim kapacitetet e tyre balistike dhe e treta, do të thoja, pjesa e politikës që ata synojnë për shkatërrimin e Izraelit. Nuk kanë ndaluar asnjëherë, duke thënë publikisht se duan ta zhdukin Izraelin nga harta.
Dhe fakti që ata kanë një kapacitet të tillë balistik të rinovuar… ne e prisnim një goditje të tillë me raketa dhe jemi mirënjohës që ata nuk kanë arritur atë fazë të kapaciteteve bërthamore për të sulmuar Izraelin. Kështu që ne jemi të përgatitur”, u shpreh ajo.
Në lidhje me situatën në terren Peleg u shpreh: “Ajo që po shohim në terren… përshtypja ime është që regjimi i Iranit është i dobët. Dhe fakti që ata po kërkojnë për armëpushim do të thotë se ata e kuptojnë se ne jemi të drejtpërdrejtë në gjërat që po themi dhe jemi të fortë në këtë drejtim. Nuk mund të vijojmë të jemi nën trysni.
Të gjithë shpresojmë që të arrihet rezultati i kërkuar. Shpresojmë që ata të ndalin së zhvilluari dhe pasuruari uranium dhe nuk kanë për të vijuar të kërcënojnë botën me kapacitetet e tyre bërthamore dhe balistike. Pra, kjo është situata. Ne i dinim kapacitetet e tyre balistike dhe e prisnim reagimin e tyre”.
Ambasadorja Peleg foli edhe për reagimin e qytetarëve izraelitë ndaj situatës dhe rrezikut të sulmeve nga Irani.
“Lufta aktuale… njerëzit e kuptojnë pse është e nevojshme dhe cili është rreziku që vjen nga Irani për sa i përket rritjes së kapaciteteve të tyre bërthamore. Po ashtu, njerëzit janë më të përgatitur. Edhe pse, për hir të së vërtetës, nuk mund të jesh i përgatitur kur një raketë që peshon gjysmë ton shpërthen në shtëpinë tënde.”
Ndërsa komentoi perceptimin publik brenda Izraelit, ambasadorja shtoi:
“Ne e kuptojmë se kjo është një luftë midis dy shtetesh. Askujt nuk i pëlqen të jetë në situatë lufte, por njerëzit e kuptojnë. Publiku izraelit e kupton mjaft mirë situatën dhe mendon se ne tani jemi më të fortë.”
Për situatën aktuale në Izrael, Peleg theksoi se qytetarët janë të vendosur dhe solidarë me njëri-tjetrin, pavarësisht humbjeve dhe pasigurisë.
“Në Izrael situata është, siç e dini… njerëzit janë duke qëndruar pranë strehave të ndryshme, janë duke u përpjekur të fshihen nga raketat. Iranianët janë duke targetuar civilët në Izrael. Fatkeqësisht, ne kemi 24 persona të vrarë nga raketat e ardhura nga Irani. Ditët e fundit kemi diku te 600 të plagosur që ndodhen në spitale. Por më duhet të them se ne jemi shumë të fortë.
Njerëzit po ndihmojnë njëri-tjetrin dhe këto janë kohërat ku njerëzit janë duke qëndruar së bashku. Mendoj po ashtu se njerëzit e kuptojnë nevojën e këtij sulmi ndaj Iranit. Po ashtu, këta e dinë se nëse Irani do të kishte kapacitete bërthamore sot, do të ishte edhe më keq. Pra, njerëzit janë të fortë dhe po përpiqen të kenë disiplinë”, tha ajo./tema