Tiranë – Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka komentuar zhvillimet pas zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar nevojën urgjente për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse që të përfshijë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR.

I pyetur lidhur me vlerësimin e këtyre zgjedhjeve, Gonzato tha:
“Nuk e di nëse kanë dalë rekomandimet përfundimtare, por natyrisht që kam parë ato paraprake. Ka pasur edhe një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli dhe është një element që dua ta theksoj si shumë kyç – ashtu siç ka thënë edhe Përfaqësuesja e Lartë, është koha që qeveria shqiptare dhe parlamenti të miratojnë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse që të përfshijë të gjitha rekomandimet e mëparshme dhe ato të tanishmet nga OSBE/ODIHR. Rezultati dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë që ta ndërmarrë dhe ta çojë përpara këtë reformë, sepse pa dyshim i ka numrat për ta bërë. Nga ana tjetër, kjo është edhe pritshmëria e qytetarëve shqiptarë, duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.”

Sa i përket standardeve të zgjedhjeve, Gonzato u shpreh se raporti i OSBE/ODIHR ka njohur që zgjedhjet janë mbajtur sipas standardeve, por ka evidentuar edhe problematika.
“Raporti pasqyron se si kanë qenë këto zgjedhje. Ndërkohë që përmenden çështje si përdorimi i burimeve publike, administrimi i procesit zgjedhor është vlerësuar pozitivisht. E ritheksoj se kjo është një çështje që duhet adresuar përmes një reforme gjithëpërfshirëse në të ardhmen. Dua të vlerësoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën e bërë, si edhe Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK-un, të cilët kanë treguar një bashkëpunim shembullor.”

I pyetur mbi qëndrimin e opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe ndikimin e mundshëm në rrugën drejt BE-së, Gonzato theksoi rëndësinë e ndjekjes së kanaleve institucionale:
“Çdo parti që mendon apo ndjen se ka pasur parregullsi, patjetër duhet t’i raportojë ato te organet përkatëse që administrojnë zgjedhjet. Kjo është mënyra se si duhet të ecet përpara. Megjithatë, shpresoj që të dyja palët politike, të cilat kanë theksuar vazhdimisht përkushtimin e tyre ndaj integrimit europian, të punojnë realisht në këtë drejtim.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu