
Ambasada e Gjermanisë ka reaguar pas vendimit të Parlamentit shqiptar lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Në një deklaratë publike, ambasada thekson se Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Sipas saj, një kusht thelbësor për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja penale efektive e korrupsionit, përfshirë edhe rastet që lidhen me zyrtarë të nivelit të lartë.
“Përparimi në këtë proces kërkon ndjekje penale efektive të korrupsionit edhe në rastet e rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të realizohet shpejt dhe pa pengesa”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se politika shqiptare duhet të vazhdojë të garantojë që procesi i drejtësisë të zhvillohet pa ndërhyrje.
Reagimi vjen pas votimit në Kuvend, ku mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku.



