
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ka ndarë mesazhin e zv.Sekretarit të Shtetit, Christopher Landau, nga Asambleja Parlamentare e NATO-s 2025.
Në këtë mesazh, Landau cilëson se administrata e Trump është e gatshme të punojë me të gjitha palët, vetëm nëse diçka e tillë është e dëshiruar.
Duke marrë shembull marrëveshjen e Dayton, Landau shprehet se administrata e tanishme e Shteteve të Bashkuara dëshiron të luajë rol konstruktiv për të gjitha palet në rajon.
“Ne në Administratën Trump jemi të gatshëm që të ofrojmë shërbimet tona të mira për të përmirësuar situatën në këtë rajon por vetëm nëse përfshirja jonë është e dëshirueshme dhe e justifikuar. E di që kjo nuk ka qenë gjithmonë fryma me të cilën zyrtarët amerikanë i janë afruar politikës së jashtme. Por në këtë drejtim, si në shumë drejtime të tjera, Administrata Trump është e gatshme të provojë një qasje të ndryshme dhe jam krenar që përfaqësoj këtë mënyrë të re të të menduarit. Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të punojmë me të gjitha palët. Marrëveshjet si ajo e Dayton-it duhet të zbatohen; por duhet që të jeni fleksibël për t’u përshtatur me kohërat që ndryshojnë.
Le të jem i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë mjete të pakufizuara për qëllime të pacaktuara, të pasigurta ose jorealiste. Ne nuk jemi të interesuar të imponojmë një vizion të një shoqërie që pasqyron preferencat e burokratëve dhe aktivistëve. Shtetet e Bashkuara do të punojnë vetëm me ata që janë të përkushtuar për vendet e tyre. Dhe këtu nuk po flas thjesht për udhëheqësit , por për popujt . Marrëveshjet fleksibile dhe të qëndrueshme, kërkojnë pëlqimin dhe konsensusin e të gjitha palëve në terren; ato duhet të pasqyrojnë kushtet dhe realitin rajonal, në vend që të jenë thjesht të imponuara nga larg.
Paqja nuk varet nga një fitore ushtarake, e cila thjesht përgatit terrenin për një rindeshje, por nga kompromise që u lejojnë të gjitha palëve të jetojnë së bashku. Paqja dhe zhvillimi përcaktohen nga qeniet njerëzore të cilat duhet të jetojnë me pasojat, jo nga avokatët, akademikët apo grupet e ekspertëve. Mund të themi se marrëveshjet e Dejtonit ishin një sukses pa thënë se marrëveshjet janë perfekte në teori apo në praktikë. Jam këtu për të shprehur gatishmërinë e Administratës Trump për të luajtur një rol konstruktiv për të gjitha palët në rajon”, u shpreh Landau./Klan