
LZHK dhe Djathtas 1912 kanë shpallur koalicionin për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Pas shpalles së koalicionit, Enkeled Alibeaj është regjistruar në zgjedhjet e 11 Majit me partinë e re “Djathtas”.
Kërkesa për regjistrimin e Djathtas 1912 si parti politike garuese ështtë dorëzuar ditën e sotme në KQZ.
Në deklaratën e përbashkët të krijimit të koalicionit, LZHK dhe Djathtas 1912 njoftuan se “ky bashkëpunim është fryt i vullnetit të përbashkët të dy partive tona për të marrë pjesë në zgjedhje, përkundër vullnetit arbitrar të PS dhe PD, me një listë të përbashkët të hapur kandidatësh për deputetë”.
Ndërkohë theksojnë se, LZHK dhe Djathtas 1912 i qëndrojnë ftesës për bashkëpunim me çdo subjekt politik.
“Duke mbetur të hapur për bashkëpunim dhe në zbatim të afateve të Kodit Zgjedhor për regjistrimin e subjekteve dhe koalicioneve politike, LZHK dhe Djathtas 1912 bien dakord që pozitat e secilit pjesëmarrës në koalicion të jenë të barabarta dhe të bazuara në mirëkuptim reciprok. Me dakordësinë e të dyja palëve, në pozicionin e garantit të procedurave tekniko-formale është caktuar z. Dashamir Shehi”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë:
LZHK dhe Djathtas 1912, në vijim të bashkëpunimit parlamentar dhe përpjekjes së përbashkët në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e listave të mbyllura, shpallin sot bashkimin në një koalicion zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit. Ky bashkëpunim është fryt i vullnetit të përbashkët të dy partive tona për të marrë pjesë në zgjedhje, përkundër vullnetit arbitrar të PS dhe PD, me një listë të përbashkët të hapur kandidatësh për deputetë.
Ne i qëndrojmë bindjes sonë të thellë se vetëm bashkëpunimi përmes listës së përbashkët të hapur garanton zgjedhjen e lirë të qytetarëve për të dërguar përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, përsërisim publikisht ftesën tonë të bërë në dhjetor për çdo parti apo lëvizje që të bashkohemi në një listë të vetme të hapur, si mekanizmi më i mirë për të rikthyer kushtetutshmërinë, e cila mund të realizohet vetëm përmes parimit të “Votës Parapëlqyese”.
LZHK dhe Djathtas 1912 i qëndrojnë ftesës për bashkëpunim me çdo subjekt politik që dakordësohet me këto parime:
Mbështetja pa rezerva ndaj SPAK dhe GJKKO në hetimin dhe gjykimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Orientimi perëndimor i Shqipërisë.
Vijimi i përpjekjeve për një Kod Zgjedhor me lista të hapura.
Gjithashtu, ftojmë çdo individ apo aktivist politik e civil që përqafon këto vlera t’i bashkohet kësaj gare elektorale, e cila është jetike për vendin. Zgjedhjet e 11 majit do të ndajnë dy epoka: fundin e dominimit të paligjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë, dhe nisjen e një rrugëtimi ku të sundojë ligji, gara e ndershme në çdo aktivitet politik e ekonomik, tregu i lirë dhe meritokracia. Koha për të vendosur është tani.
Duke mbetur të hapur për bashkëpunim dhe në zbatim të afateve të Kodit Zgjedhor për regjistrimin e subjekteve dhe koalicioneve politike, LZHK dhe Djathtas 1912 bien dakord që pozitat e secilit pjesëmarrës në koalicion të jenë të barabarta dhe të bazuara në mirëkuptim reciprok. Me dakordësinë e të dyja palëve, në pozicionin e garantit të procedurave tekniko-formale është caktuar z. Dashamir Shehi.
Nga dita e sotme, nisim procedurat e kërkuara nga ligji./Shekulli