
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shpalljes së datës 28 dhjetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.
Kurti e cilësoi ditën e zgjedhjeve si “festë të demokracisë”, duke theksuar se pjesëmarrja e lartë e qytetarëve është thelbësore për legjitimitetin e procesit.
“Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik,” u shpreh Kurti.
Ai shtoi se e mirëpret vendimin e Presidentes për caktimin e datës, duke e konsideruar 28 dhjetorin si momentin më të përshtatshëm për organizimin e zgjedhjeve.
Faktori diasporë – i rëndësishëm dhe tradicionalisht pro-Kurtit
Në këtë periudhë të fundvitit, mijëra qytetarë të diasporës kthehen në Kosovë për festat, një faktor që ka pasur ndikim të fortë në proceset zgjedhore të kaluara. Diaspora njihet tradicionalisht si një bastion i votës për Vetëvendosjen, duke i dhënë kësaj force politike një mbështetje të jashtëzakonshme në ciklet e fundit zgjedhore.
Kalendari i zgjedhjeve në prag të festive pritet të rrisë prezencën e votuesve që jetojnë jashtë vendit, duke e bërë garën elektorale edhe më të rëndësishme për subjektet politike.







