
Deputeti Erion Braçe ka ngritur sot një alarm serioz për sigurinë publike në Sheshin “Skënderbej”, ku gjatë aktiviteteve të festave janë vendosur dhjetëra bombola gazi mes qindra qytetarëve.
Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, Braçe tha se vetëm mbrëmjen e djeshme ka numëruar mbi 100 bombola gazi të vendosura në kushte të pasigurta, duke e cilësuar situatën një rrezik real që mund të shkaktohet si nga papërgjegjshmëria, ashtu edhe nga një pakujdesi e vogël njerëzore.
Braçe: “Duket bukur, plot energji… po ku është siguria?”
“Ishte plot me njerëz, shqiptarë dhe të huaj, atmosfera shumë e bukur. Por siguria? Bombulat e gazit nga bombat i ndajnë vetëm standardet dhe kushtet teknike të sigurisë – dhe ato që pashë nuk i plotësojnë,” shkruan Braçe.
Ai u shpreh se ka konstatuar dritë të fortë elektrike në zonë, në kohën kur bombolat ndodheshin shumë pranë njëra-tjetrës dhe në kushte që sipas tij nuk përputhen me asnjë normë sigurie.
“Mund të kthehen në rrezik të madh”
Braçe theksoi se mungesa e kontrollit teknik për bombolat, lëvizja e vazhdueshme e njerëzve dhe prezenca e energjisë elektrike krijojnë një kombinim të rrezikshëm që kërkon ndërhyrje urgjente të autoriteteve.
Sipas tij, vetëm një pakujdesi e vogël mund t’i transformojë ato në një rrezik të menjëhershëm për dhjetëra njerëz.



