
Franca po përballet me një shpërthim të madh të virusit Chikungunya, me plot 800 raste të regjistruara mes 1 majit dhe 22 korrikut 2025. Rasti i parë është konfirmuar tashmë edhe në Itali, në zonën e Bentivoglios, pranë Bolognas, duke ngritur alarmin edhe në këtë shtet.
Virusi, i cili përhapet te njerëzit përmes pickimit nga mushkonjat e infektuara, shkakton temperaturë të lartë, dhimbje koke, lodhje ekstreme dhe dhimbje të forta të kyçeve.
Chikungunya ishte përhapur më parë në shkallë globale, duke infektuar mbi 500 mijë persona, dhe tani, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rrezikon të kthehet në një kërcënim të ri për shëndetin publik. Mendohet se vala e re ka nisur nga ishulli La Réunion (territor francez në Oqeanin Indian), dhe është përhapur në Madagaskar e Mauritius.
OBSH vlerëson se të paktën 5.6 miliardë persona në 2 kontinente mund të jenë potencialisht të ekspozuar ndaj virusit.