Në 24 orët e fundit janë raportuar 20 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, ku aktualisht 4 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Zonat më të prekura përfshijnë bashkitë Dibër, Bulqizë, Mallakastër dhe Himarë. Në total, nga zjarret janë përfshirë rreth 52 hektarë bimësi, përfshirë pyje, shkurre dhe 90 rrënjë ullinj.

Vatrat aktive:

  • Qarku Dibër – Parku Kombëtar i Lurës:
    Në zonën e “Liqenit të Luleve”, dy vatra janë ende aktive. Njëra po përhapet drejt liqenit të Zi dhe Lurës, ndërsa tjetra në anën e Malit të Dejës, me përmasa të mëdha dhe vështirësi për ndërhyrje për shkak të terrenit malor dhe intensitetit të flakëve. Janë angazhuar 23 forca operacionale dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
  • Qarku Dibër – Bulqizë (Zerqan):
    Zjarri në zonën e “Malit të Peladhisë” mbi fshatin Krajkë ka djegur rreth 33 hektarë me dushqe, shkurre dhe barishte. Vatra po mbahet nën kontroll.
  • Qarku Fier – Mallakastër:
    Në fshatin Drenovë (Nj.A. Qendër Dukas), vatra e zjarrit është riaktivizuar dhe ka përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre, ferra dhe pyll pishe. Era ka ndikuar në zgjerimin e zjarrit. Forcat zjarrfikëse janë në terren për shuarjen.
  • Qarku Vlorë – Himarë (Borsh):
    Vatra e zjarrit është riaktivizuar pranë banesave dhe po zhvillohet në një zonë me shkurre e terren të vështirë. Po ndërhyhet nga efektivë të MZSH Himarë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Janë djegur rreth 10 hektarë shkurre.

Forcat e angazhuara:

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë:

  • 275 forca operacionale
  • 32 automjete zjarrfikëse
  • 30 forca ushtarake, 2 automjete të FA-së dhe 1 helikopter në terren

Parashikimi dhe rreziku:

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, nuk parashikohen reshje, ndërsa për ditën e sotme, rreziku për zjarre pyjore është “i lartë” në qarqet Lezhë, Tiranë, Fier dhe Berat, dhe “i moderuar” në pjesën tjetër të vendit.

Strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin për të ndërhyrë në kohë.
Qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në numrin 112.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu