Alaska është përfshirë nga një alarm për tsunami, pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.3 që goditi rreth 80 kilometra larg brigjeve të gadishullit të Alaskës, në orët e para të mëngjesit të 16 korrikut (sipas orës lokale).

Epiqendra e tërmetit ndodhej në Oqeanin Paqësor, në një thellësi prej 35 kilometrash, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA (USGS). Fillimisht, Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) lëshoi një paralajmërim për cunami për zonën nga Kennedy Entrance deri në Unimak Pass, duke përfshirë qytetet Cold Bay, Sand Point dhe Kodiak – një zonë me popullsi të rrallë.

Megjithatë, paralajmërimi u zbut në një “këshillim për cunami”, që do të thotë se edhe pse nuk pritet një valë e madhe shkatërruese, rreziku mbetet dhe qytetarët këshillohen të qëndrojnë larg plazheve dhe zonave ujore. NWS theksoi me “besueshmëri të arsyeshme” se zona të tjera si Kenai Peninsula nuk do të preken.

Disa banorë të Anchorage, qyteti më i madh i Alaskës, raportuan se morën paralajmërime në telefon për cunami, por autoritetet lokale konfirmuan se kjo zonë nuk është e përfshirë në këshillimin për cunami.

Zonat bregdetare të Alaskës janë të njohura për aktivitet të lartë sizmik, pasi ndodhen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit të Paqësorit”, ku tërmetet dhe cunamet janë të zakonshme.

Deri në këtë moment nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha materiale, por autoritetet mbeten në gatishmëri dhe vijojnë monitorimin e situatës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu