
Bazuar në informacionet zyrtare nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme priten reshje shiu në disa qarqe të vendit, të cilat lokalisht mund të jenë intensive dhe të shoqëruara me shtrëngata.
Autoritetet u bëjnë thirrje strukturave të Mbrojtjes Civile, si dhe institucioneve përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror, që të rrisin vëmendjen dhe gatishmërinë për marrjen e masave parandaluese, me qëllim përballimin e çdo situate të mundshme emergjente.
Bashkitë në zonat me risk më të lartë janë udhëzuar të forcojnë gatishmërinë operacionale dhe të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren, veçanërisht në zonat problematike për përmbytje apo rrëshqitje dherash.
Ndërkohë, prefekturat duhet të përcjellin informacionin pranë bashkive përkatëse dhe të raportojnë në kohë çdo zhvillim pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar edhe nga qytetarët, duke ndjekur njoftimet zyrtare dhe duke shmangur zonat me rrezik gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike.



