Një alarm serioz shëndetësor është shpallur në jug të Anglisë, pasi dy të rinj kanë humbur jetën nga meningiti në zonën e Kentit, ndërsa autoritetet flasin për një situatë “të paprecedentë”.

Viktimat janë një student 21-vjeçar i Universitetit të Kentit dhe një 18-vjeçar, ndërsa të paktën 11 persona të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë në spital.

Autoritetet britanike kanë nisur menjëherë një fushatë të gjerë kontrollesh dhe vaksinimi, duke ftuar mbi 30 mijë persona të kryejnë testime parandaluese. Dyshohet se përhapja e bakterit mund të ketë ndodhur në ambiente të mbipopulluara si klube nate, ku kanë frekuentuar studentët e infektuar.

Sipas specialistëve, bëhet fjalë për meningokokun e tipit B (MenB), një formë e rrezikshme e meningitit bakterial që mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet në kohë.

Ministri britanik i Shëndetësisë e ka cilësuar situatën si një “garë kundër kohës”, ndërsa është konfirmuar edhe një rast i lidhur me këtë shpërthim në Francë.

Mjekët bëjnë thirrje për kujdes, por jo panik, duke theksuar se sëmundja transmetohet përmes kontaktit të afërt dhe pikëzave të pështymës, si gjatë kollitjes apo teshtitjes.

Çfarë është meningiti?
Meningiti është një inflamacion i cipave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Ai mund të shkaktohet nga viruse, baktere apo kërpudha. Forma bakteriale është më e rrallë, por shumë më e rrezikshme dhe mund të jetë fatale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu