
Mëngjesin e sotëm janë regjistruar sërish alarme për bomba në disa shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë, duke shkaktuar ndërprerjen e procesit mësimor dhe evakuimin e menjëhershëm të nxënësve.
Sipas informacioneve paraprake, ekipet e Policisë së Maqedonisë së Veriut kanë dalë në terren dhe po kryejnë kontrolle në ambientet e shkollave, ndërsa nxënësit dhe stafi janë nxjerrë jashtë objekteve sipas protokolleve të sigurisë.
Kujtojmë se edhe një ditë më parë pati alarme për mjete shpërthyese në shkolla në Shkup dhe Tetovë, të cilat pas verifikimeve rezultuan denoncime të rreme. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi rastet e sotme, ndërsa pritet një njoftim zyrtar pas përfundimit të kontrolleve.
Ngjarjet e përsëritura kanë ngritur shqetësim te prindërit dhe komuniteti arsimor, ndërsa policia po heton burimin e këtyre kërcënimeve.



