
Përhapja masive e urisë në Rripin e Gazës është shmangur për momentin, por rreziku i vdekjeve nga uria mbetet real dhe i lartë për popullsinë palestineze. Alarmin e ka dhënë autoriteti kryesor botëror për menaxhimin e krizave ushqimore, përmes raportit më të fundit të publikuar këtë të premte.
Sipas raportit të Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC), situata në Gaza mbetet jashtëzakonisht e brishtë, pavarësisht se skenari i urisë së përhapur është frenuar. Organizata thekson se pa një armëpushim të qëndrueshëm dhe pa heqjen e kufizimeve për hyrjen e ndihmave humanitare, rreziku i përkeqësimit të menjëhershëm mbetet shumë i lartë.
Raporti rikujton se muaj më parë IPC paralajmëroi se qyteti i Gazës ishte tashmë në prag urie dhe se kjo gjendje mund të shtrihej në të gjithë territorin, nëse ndihmat nuk do të lejoheshin të hynin pa pengesa. Edhe sot, sipas ekspertëve, i gjithë Rripi i Gazës konsiderohet zonë me rrezik të lartë ushqimor.
Në skenarin më ekstrem, që përfshin rifillimin e luftimeve dhe ndërprerjen e ndihmave, raporti paralajmëron se e gjithë popullsia e Gazës mund të përballet me rrezik real të vdekjes nga uria.
Edhe pse aktualisht është në fuqi një armëpushim, banorët e territorit përballen me mungesa të theksuara të ushqimit, ujit, shërbimeve shëndetësore dhe kushteve bazë të jetesës, duke e bërë të domosdoshme ndihmën e vazhdueshme dhe të papenguar ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Izraelit ka kundërshtuar raportin, duke e cilësuar atë si të shtrembëruar dhe duke deklaruar se nuk pasqyron realitetin aktual në Rripin e Gazës.






