
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin më të fundit për ekonominë e Kosovës, duke evidentuar një ngadalësim të rritjes ekonomike gjatë vitit 2025 dhe rritje të presioneve inflacioniste.
Sipas vlerësimit të FMN-së, ekonomia e Kosovës u rrit me 3.6% në vitin 2025, një rënie krahasuar me 4.6% në vitin 2024, si pasojë e dobësimit të eksporteve dhe kërkesës private.
Ndërkohë, inflacioni ka vijuar të rritet, duke arritur në rreth 5.7% në janar 2026, i nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore.
Raporti thekson gjithashtu se deficiti është thelluar në 9.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për shkak të rritjes së importeve, veçanërisht në energji dhe ushqime.
Megjithatë, FMN vëren se punësimi formal ka shënuar përmirësim, ndërsa rritja e pagave është moderuar krahasuar me vitin e kaluar.
Për vitin 2026, parashikohet një ngadalësim i mëtejshëm i ekonomisë në 3.3%, ndërsa inflacioni mund të arrijë në 5.9%, përpara se të stabilizohet gradualisht në vitet në vijim.
FMN paralajmëron se ekonomia mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve si tensionet globale, konfliktet rajonale dhe paqëndrueshmëria politike, ndërsa rekomandon rishikimin e politikave fiskale për të shmangur përkeqësimin e deficitit.
Institucioni ndërkombëtar thekson nevojën për rritje të investimeve publike cilësore, kontroll të shpenzimeve dhe përmirësim të mbledhjes së të ardhurave, si dhe vazhdimin e reformave strukturore për të rritur konkurrueshmërinë dhe zhvillimin afatgjatë.



