Një skandal i rëndë me përmasa ndërkufitare ka shpërthyer në Maqedoninë e Veriut, pas dyshimeve për futje të organizuar dhe të paligjshme të qenve endacakë nga Shqipëria drejt territorit të Shkupit.

Alarmi u ngrit fillimisht nga këshilltarja e pavarur në Komunën e Karposhit, Tatjana Stojanovska, e cila publikoi një foto të një tufe qensh të shfaqur papritur në parkun përballë qendrës tregtare City Mall. Sipas saj, këta qen nuk i përkasin popullatës lokale dhe dyshohet se janë sjellë nga një vend tjetër.

Pas këtij denoncimi publik, shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” kërkoi një hetim urgjent, të plotë dhe të pavarur, duke folur për indikacione serioze të një zhvendosjeje të organizuar të qenve në Shkup.

Sipas shoqatës, në Komunën e Karposhit janë shfaqur “brenda natës” qen të panjohur për komunitetin, të pasterilizuar dhe të pashënjuar, çka – sipas tyre – përjashton mundësinë e një shtimi natyror të popullatës së qenve të rrugës.

“Qytetarët i njohin qentë e lagjeve të tyre prej vitesh. Këto kafshë nuk janë pjesë e asaj popullate. PE ‘Lajka’ nuk ka lëshuar kurrë një numër kaq të madh qensh të pashënjuar dhe të pasterilizuar në asnjë zonë të Shkupit”, thuhet në deklaratën e “Anima Mundi”.

Elementi më shqetësues, sipas shoqatës, është fakti se në rrugët e Shkupit janë konstatuar qen me etiketa veshi nga Republika e Shqipërisë, çka ngre dyshime serioze për transport të paligjshëm ndërkufitar të kafshëve.

Për këtë arsye, “Anima Mundi” i ka bërë thirrje Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë Publike që të hetojnë se kush, si dhe nga cilat vende po transportohen dhe braktisen këto kafshë, duke kërkuar gjithashtu verifikimin e kamerave të sigurisë publike dhe private në zonat ku janë shfaqur qentë, si edhe në hyrje-daljet e Shkupit.

Shoqata ka përsëritur kërkesën për ndryshime në Kodin Penal, duke propozuar që braktisja e kafshëve, mizoria ndaj tyre dhe krijimi i rrezikut të përgjithshëm të trajtohen si vepra penale, sipas modelit të Kroacisë.

Njëkohësisht, “Anima Mundi” i bëri thirrje ZELS-it (Shoqata e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale) të nisë diskutime publike me të gjithë kryetarët e bashkive për trajtimin e problemit të qenve të rrugës, duke theksuar se zgjidhja duhet të jetë humane dhe ligjore, përmes sterilizimit masiv, regjistrimit të saktë dhe sanksioneve të rrepta ndaj çdo forme zhvendosjeje të paligjshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu