Një fermë në fshatin Domen të Postribës në Shkodër është vënë në karantinë nga drejtoria rajonale e veterinarisë për shkak se disa prej kafshëve të imta dhi kanë rezultuar të infektuara.

Pronari i kësaj ferme Zamir Milani thotë se atij i kanë ngordhur 3 krerë dhe një tjetri 6 të tjera, ndërsa ka informacion se kjo sëmundje është përhapur edhe tek delet në atë zonë, por sipas tij fermerët e tjerë nuk flasin për shkak se mund të shkaktohet një lloj frike tek besimtarët musliman që therin bagëtitë pasi jemi në prag të Kurban Bajramit.

Fermeri shprehet se ka investuar 600 mijë lekë për të ngritur fermën dhe ka shpenzuar mbi 40 mijë lekë ilaçe për bagëtitë por deri tani nuk ka gjetur zgjidhje.

Në këtë fermë mbërritën inspektorët e drejtorisë rajonale të veterinarisë në Shkodër duke e vendosur në karantinë ndërsa inspektori Muhamet Bisho thotë se do të dërgohen urgjentisht analizat pranë Institutit të Referencës Veterinare në Tiranë pasi është e paqartë sëmundja që ka prekur dhitë në Postribë.

Tregtimi dhe lëvizja e bagëtive të imëta dhe të trasha është një shqetësim i përhershëm edhe prej vetë fermerëve në fshatrat e Shkodrës por shpesh herë janë shprehur se nuk kanë një mundësi tjetër sepse në treg nuk ka të matrikulluara duke bërë që rreziku i prekjes nga sëmundjet të jetë i lartë./balkanweb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu