
Një situatë e pazakontë po zhvillohet mbi hapësirën ajrore të Iranit, ku që prej pak minutash është vërejtur një zbrazëti totale nga avionët civilë. Sipas një postimi të fundit nga faqja “Iran Military” në Facebook, “qielli mbi Iran është pastruar”, ndërsa shtohet se detajet do të publikohen sapo të bëhen të disponueshme.
Në hartën që shoqëron postimin, i verifikuar nga aia.al në flightradar duket qartë se të gjitha fluturimet civile janë shmangur nga hapësira ajrore iraniane, duke kaluar përmes vendeve fqinje si Turqia, Iraku, Emiratet e Bashkuara dhe Arabia Saudite.
Ky veprim i menjëhershëm mund të jetë tregues i një incidenti të madh sigurie, kërcënimi ushtarak, apo ndonjë ndërhyrjeje të pritshme.
Deri në këto momente nuk ka një deklaratë zyrtare nga autoritetet iraniane apo nga organizatat ndërkombëtare të aviacionit, por mediat ndërkombëtare dhe rrjetet e fluturimeve si Flightradar24 kanë konfirmuar zbrazjen e qartë të qiellit mbi Iran.
Mëngjesin e 24 qershorit 2025, nisi zbatimi i një armëpushimi të brishtë mes Iranit dhe Izraelit, pas një përshkallëzimi të rrezikshëm 12-ditor që solli dhjetëra viktima dhe tension ndërkombëtar. Marrëveshja u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Katari, vetëm disa ditë pas një sulmi të befasishëm të SHBA-ve mbi objektiva bërthamore iraniane, të urdhëruar nga Presidenti Trump më 21 qershor.
Megjithëse akti u vlerësua si një hap i madh drejt qetësimit të rajonit, respektimi i saj mbetet sfidues. Që në orët e para të armëpushimit, të dyja palët shkëmbyen akuza për shkelje të menjëhershme, me sulme të vazhdueshme ajrore dhe raketore që kërcënojnë të destabilizojnë sërish situatën.
Presidenti Trump reagoi me kritika të forta, duke deklaruar: “Këto dy vende kanë luftuar aq gjatë sa nuk e dinë më çfarë po bëjnë.” Ai kërkoi ndalimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake dhe tërheqjen e forcave izraelite nga operacionet ajrore.