
Irani ka lëshuar një sulm me raketa të hënën mbi bazën ushtarake amerikane Al Udeid në Katar, në një veprim hakmarrës ndaj bombardimeve që SHBA kreu një ditë më parë mbi objektet bërthamore iraniane.
Lajmi u konfirmua nga televizioni shtetëror iranian, ndërsa transmetimi u shoqërua me muzikë ushtarake dhe një mbishkrim që e përshkruante sulmin si “një përgjigje madhështore dhe e suksesshme e forcave të armatosura të Iranit ndaj agresionit amerikan”.
Sulmi ndodhi pak pas vendimit të Katarit për të mbyllur hapësirën ajrore, pas kërcënimeve të vazhdueshme iraniane ndaj bazës Al Udeid – një ndër bazat më të rëndësishme amerikane në rajon, ku janë stacionuar mijëra trupa amerikane dhe britanike.
Çfarë dihet deri tani:
Iran godet Al Udeid: Sulmi me raketa është konfirmuar nga burime ushtarake amerikane, ndërsa Pentagon dhe Shtëpia e Bardhë kanë deklaruar se janë duke e ndjekur nga afër situatën dhe janë në kontakt të ngushtë me autoritetet katariote.
Qatari mbyll hapësirën ajrore: Ministria e Jashtme e Katarit konfirmoi mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore, ndërsa të gjitha fluturimet komerciale janë devijuar. Situata ka shkaktuar kaos edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Dohas, një nga nyjet më të mëdha ajrore në botë.
Frikë për përshkallëzim bërthamor: Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, duke folur nga Vjena, tha se pritet të ketë dëme të mëdha në objektin bërthamor Fordo, pas përdorimit nga SHBA të bombave “bunker-buster” ditën e diel. Megjithatë, zyrtarë iranianë pretendojnë se materialet bërthamore ishin larguar paraprakisht nga vendet e goditura.
Reagimi iranian: Presidenti i ri iranian, Masoud Pezeshkian, një orë para sulmit shkroi në platformën X: “Nuk kemi nisur luftën, as e kërkojmë. Por nuk do ta lëmë pa përgjigje asnjë agresion ndaj Iranit. Me gjithë qenien tonë, do të mbrojmë sigurinë e kombit të dashur.”
Konflikti nisi më 13 qershor, kur Izraeli ndërmori një sulm surprizë mbi disa objekte strategjike në territorin iranian, duke pretenduar se po parandalonte një kërcënim të afërt për prodhimin e armëve bërthamore nga ana e Teheranit. Në javën që pasoi, Irani u përgjigj me sulme me dronë dhe raketa ndaj territorit izraelit, ndërsa Izraeli ka vijuar të godasë objektiva të rëndësishëm në Iran.
Në zhvillim:
Evakuimi i qytetarëve amerikanë dhe britanikë nga rajoni ka nisur. Uashingtoni ka paralajmëruar se çdo sulm i mëtejshëm ndaj forcave të tij do të marrë një përgjigje “vendimtare dhe të përmasave të mëdha”.