Një aligator është raportuar të jetë parë në ujërat e kanalit konsorcial Laura Nuova, në Capaccio Paestum të Salernos, duke ngritur shqetësim mes autoriteteve dhe banorëve të zonës.

Sipas mediave italiane, zvarraniku u vu re nga një sipërmarrës lokal, i cili e fotografoi dhe njoftoi menjëherë policinë bashkiake. Alarmi u përhap edhe në rrjetet sociale nga Shoqata Kombëtare e Zjarrfikësve në pension, që publikoi imazhin e kafshës.

Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, madje as mundësinë që të bëhet fjalë për një shaka apo një lodër gome. Megjithatë, komandanti i policisë bashkiake, Antonio Rinaldi, tha se burimi konsiderohet i besueshëm dhe nuk ka dyshime se fotografia është krijuar me inteligjencë artificiale.

Pas sinjalizimit është aktivizuar protokolli i emergjencës për të monitoruar zonën dhe për të organizuar kapjen e mundshme të reptilit. Në kanal janë vendosur karrema në disa pika dhe zona po survejohet edhe me dronë.

Banorëve u është bërë thirrje të mos afrohen pranë vendit ku është raportuar shfaqja e kafshës.

Sa i përket origjinës së mundshme, një nga hipotezat është se aligatori mund të jetë mbajtur ilegalisht dhe më pas të jetë braktisur. Ndërkohë, disa natyralistë dyshojnë se objekti në foto mund të jetë thjesht një lodër, pasi disa detaje anatomike duken tepër të theksuara.

Situata po ndiqet edhe nga autoritetet rajonale të Mbrojtjes Civile, të cilat kanë kërkuar ndihmën e ekspertëve të Universitetit të Salernos për të verifikuar vërtetësinë e rastit dhe për të përcaktuar masat e nevojshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu