Më shumë se 10 mijë persona humbin jetën çdo vit në Europë për shkak të stresit të lidhur me punën, shifra këto që i tejkalojnë ndjeshëm vdekjet nga aksidentet fizike në vendin e punës, të cilat arrijnë rreth 4.000 në vit. Alarmi është ngritur nga Konfederata Evropiane e Sindikatave (CES), e cila përfaqëson 90 konfederata sindikale nga 39 vende, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas një analize të realizuar nga CES, në Bashkimin Evropian dhe Britani, çdo vit regjistrohen mesatarisht 6.190 vdekje nga sëmundje të zemrës të lidhura me stresin kronik në punë, si dhe 4.843 vetëvrasje të lidhura me depresionin dhe presionin në vendin e punës.

Grupet më të prekura nga ky fenomen janë gratë, të cilat vuajnë më shumë nga pasiguria në punë  dhe oraret rraskapitëse. Ndërkohë, rajonet më të goditura janë Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

Përballë këtyre shifrave tronditëse, sindikatat evropiane i bëjnë thirrje Komisionit Evropian dhe në veçanti komisioneres për të drejtat sociale, Roxana Minzatu, që të ndërhyjnë me një direktivë të posaçme në kuadër të paketës për punën e cilësisë.

CES kërkon që vlerësimi i rreziqeve psikosociale të bëhet i detyrueshëm për çdo vend pune, me përfshirjen aktive të punëtorëve dhe përfaqësuesve të tyre.

Sipas sindikatave, është koha që shëndeti mendor në vendin e punës të trajtohet me të njëjtën seriozitet si siguria fizike, për të shmangur një krizë të thellë sociale dhe humanitare që po përhapet në heshtje në të gjithë kontinentin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu