Drejtoria e Doganave ka reaguar pas lajmit se rreth 800 tonë mbetje të rrezikshme metalurgjike, dyshohet se janë nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës.
Në reagimin zyrtar, Drejtoria e Doganave bën me dije se në kuadër të bashkëpunimit me WCO dhe mbi bazën e informacioneve të shkëmbyera me Konventën e Bazel dhe OLAF, kanë identifikuar një ngarkesë të dyshimtë, e cila është nisur nga Porti i Durrësit dhe ka bërë transhipment në Trieste dhe Pire.
“DPD, OLAF dhe strukturat e tjera të përfshira po bashkëpunojnë aktivisht për të lokalizuar ngarkesën gjatë transportit dhe për të verifikuar nëse ngarkesa është mbetje”, thuhet në reagim.
Skandali
Një ngarkesë e nisur nga Porti i Durrësit ka vënë në alarm autoritetet në Tajlandë, pasi sipas organizatës “Basel Action Network” që gjurmon tregtinë e mbetjeve toksike, është e mbushur me pluhur të rrezikshëm që grumbullohet nga filtrat e furrave të çelikut. Aktualisht në Shqipëri, furra të përpunimit të çelikut ka vetëm kompania Kurum duke rritur dyshimet se kanë dalë prej këtyre furrave.
Megjithatë një hetim i mëtejshëm do të nxjerrë të vërtetën e këtij skandali.
Ndërsa, ka dyshime të forta se në Portin e Durrësit operojnë grupe kriminale që kanë lejuar kalimin e këtyre mbetjeve të konsideruara të rrezikshme.
Siç raporton “bloomberg.com” anija e linjës së transportit Maersk ishte planifikuar të ankorohej në Cape Town, në Afrikën e Jugut. Por, pas paralajmërimit të dhënë nga grupi ndërkombëtar i mbikëqyrjes “BAN”, në datën 31 korrik u fik GPS-i i anijes dhe ankorimi nuk u bë i mundur.
Kompania Maersk konfirmoi se janë dy nga anijet e saj te mallrave që po transportojnë kontenierë me origjinë nga Shqipëria.
Sipas të dhënave të kompanisë, 40 kontejnerë u ngarkuan në anijen Contship Voë më 4 korrik në portin e Durrësit të Shqipërisë.
Kontejnerët u transferuan më pas në ‘Maersk Campton’ në Trieste dhe do të transferohen përsëri në një anije të Maersk në Singapor më 18 gusht.
Anija është planifikuar të mbërrijë në portin Laem Chabang të Tajlandës më 20 gusht.
Ndërkohë, një tjetër ngarkesë prej rreth 60 kontejnerësh, të cilat u nisën nga Durrësi dhe u ngarkuan në një tjetër anije të Maersk jashtë Shqipërisë, po bëjnë gjithashtu rrugën e tyre për në Singapor për tu nisur më pas drejt Tajlandës.
Anija ‘Maersk Campton’ ndaloi transmetimin e vendndodhjes së saj më 31 korrik. Kompania e transportit tha se nuk është e pazakontë që anijet të çaktivizojnë transmetimin e vendndodhjes për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Sipas Maersk, anija është aktualisht në Oqeanin Indian në rrugën e saj për në Singapor, me destinacion final Tajlandën.
Drejtori organizatës “BAN”, mënyra e veprimit të kapitenëve të anijes lidhet me faktin se duan t’i shmangen përgjegjësisë para ligjit, pasi janë të jetë e përfshirë në trafikimin e mbetjeve të rrezikshme.
Ndërkohë Autoritetet doganore shqiptare bëjnë të ditur se ka nisur një hetim ndërkombëtar për rastin, pas një njoftimi të mbërritur nga Sekretariati i Konventës se Bazelit për trafik mbetjesh toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës. Menjëherë drejtoria Antitrafik pranë doganës Shqiptare është bërë pjesë e hetimit në bashkëpunim me OLAF. Dogana konfirmon se anija që ka fikur sinjalin e vendndodhjes është nisur nga Durrësi dhe pas një ndalese në Trieste ka vijuar rrugëtimin e saj me destinacion Tajlandën.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se Kodi i Kuq është lëshuar në të gjithë botën, teksa grupet për Drejtësinë Ambientale kërkojnë ndalimin e anijes dhe kthimin e saj në Europë, pasi bëhet fjalë për 816 tonë mbetje të rrezikshme./Zoom.al