Panorama.al, ka siguruar fotografinë e Aurelinjo Kalaveri alias Aurel Hoxha, personit që dyshohet se ka porositur për 50 mijë euro vrasjen e Klevis Lleshit në vitin 2020, në Burrel, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të vëllait në Britaninë e Madhe.

Një hetim i SPAK bazuar në të dhënat e aplikacionit të koduar Sky ECC ka hedhur dritë mbi rrëmbimin, vrasjen dhe fshehjen e kufomës së Klevis Lleshit në gusht të 2020, eshtrat e të cilit u zbulua rastësisht nga një banor në një fshat të Kurbinit.

Aurel Hoxha alias Kolaveri, pronar i disa kompanive dhe lokal Monopol në zonën e Myslym Shyr, është shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes për gjakmarrje në kuadër të grupit kriminal ndaj Klevis Lleshit.

Sipas prokurorisë së posaçme, ai krijoi një grup kriminal dhe urdhëroi vrasjen e të riut, në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e vëllait të tij, Agim Hoxha në 2012 në Britaninë e Madhe.

Si ekzekutor dyshohet të ketë vepruar shtetasi Sabah Nuzi dhe vrasjen sipas prokurorisë e kreu kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh. Nuzi përfundoi në pranga gjatë një aksioni që u ndërmor mëngjesin e së premtes.

“Drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për gjakmarrje dyshohet të jetë shtetasi Aurel Hoxha alias Kolaveri në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012. Ssi ekzekutor dyshohet të jetë shtetasi Sabah Nuzi””, njoftoi prokuroria.

Nga hetimet ka rezultuar se si ndërmjetës mes Aurel Hoxhës dhe vrasësit me pagesë ka vepruar shtetasi A.K.

Prokuroria e Posaçme thotë se në kuadër të këtij hetimit ka zbuluar se Aurel Hoxha, pronar i lokalit Monopol është i përfshirë në trafik kokaine dhe një skemë pastrimi parash.

“Rezulton se shtetasi Aurel Hoxha, në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundraligjshme të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasi Samet Loka dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar. Të ardhurat e kundraligjshme, dyshohen se janë krijuar nga aktiviteti i kundraligjshëm i trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut, drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipëri”, thuhet në njoftim.

SPAK thekson më tej se “nga ky aktivitet dyshohet se janë krijuar të ardhura monetare të cilat kanë shërbyer për investime në aktivitete tregtare, pasuri të paluajtshme dhe pasuri të luajtshme dhe të dyshuarit kanë kryer veprime për fshehjen e origjinës së këtyre parave”.

SPAK konfirmoi se Samet Loka i dyshuar si anëtar i grupit kriminal te Aurel Hoxhës përfundoi në pranga këtë të premte.

Vrasja dhe zhdukja e trupit të Klevis Lleshit

Klevis Lleshi u zhduk në gusht të 2020 në Burrel dhe eshtrat e tij u zbuluan disa muaj më vonë në Kurbin. Ai dyshohet të jetë vrarë në shenjë hakmarrje, pasi kushëriri i tij, Arben Lleshi pas përplasjeve për kokainë vrau dhe dogji në makinë Agim Hoxhën.

Arben Lleshi u dënua me burg të përjetshëm nga drejtësia britanike dhe u ekstradua drejt Shqipërisë, ku do të vuante dënimin. Pavarësisht kësaj, saga e hakmarrjes nuk u ndal, pasi në 2013 në Burrel u vra Xhavit Lleshi dhe më pas Hajredin Lleshi.

Artan Lleshi u zhduk pa gjurmë, kur edhe sot nuk dihet për fatin e tij. 5 vite më parë u vra Klevis Lleshi, ndërsa në dhjetor 2023 i dënuari Arben Lleshi u ekzekutua në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Autori i vrasjes është i dënuari tjetër me burgim te përjetshëm Sokol Mjacaj, që sipas hetuesve ka vepruar kundrejt pagesës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu