
Akuza të reja janë bërë publike ndaj Princit Andrew dhe financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, pasi një letër ligjore pretendon se ata i kërkuan një balerine ekzotike të përfshihej në akte seksuale në rezidencën e Epstein në Florida.
Dokumenti, i përfshirë në një seri të re materialesh të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, thotë se gruaja pa emër ishte ofruar me 10 mijë dollarë për të performuar. Sipas avokatëve të saj, pasi ajo kishte kërcyer, dy burrat i kishin kërkuar të merrte pjesë në një marrëdhënie treshe.
Letra, e datës mars 2011, pretendon se gruaja dhe disa balerina të tjera nga një klub nate në West Palm Beach u transportuan me makinë drejt shtëpisë së Epstein. Aty ajo u prezantua me Princin Andrew dhe pa të reja të veshura në mënyrë provokuese, disa prej të cilave dukeshin shumë të reja.
Sipas pretendimeve, gruaja refuzoi kërkesën duke theksuar se ishte punësuar vetëm për të kërcyer. Avokatët thonë se asaj iu premtua pagesa më vonë dhe se përfundimisht mori vetëm 2 mijë dollarë nga shuma e premtuar.
Dokumenti shton se gruaja nuk i kishte ndjekur më parë këto pretendime pasi nuk ishte “krenare për rrethanat e asaj nate”, ndërsa avokatët pohuan se ajo ishte trajtuar si prostitutë. Nuk është e qartë nëse çështja është zgjidhur ndonjëherë me marrëveshje.
BBC ka kontaktuar përfaqësuesit e Princit Andrew për koment. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje. Megjithatë, presioni ndaj tij është rritur për të dhënë dëshmi mbi marrëdhënien me Epstein.
Në materialet e fundit përfshihen edhe fotografi që duket se e tregojnë Andrew në një pozicion komprometues pranë një gruaje të shtrirë në tokë, megjithëse të dy ishin të veshur.
Princi Andrew është përballur edhe më parë me akuza për sulm seksual ndaj Virginia Giuffre, e cila deklaroi se ishte trafikuar nga Epstein kur ishte adoleshente. Çështja civile u mbyll në vitin 2022 me një marrëveshje financiare, pa pranim faji nga ana e Andrew.






