Një ngjarje e rëndë e denoncuar  në rrjete sociale, ku dyshohet se një qen endacak ka humbur jetën pas ushqimit të dhënë nga punonjës të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, ka sjellë reagime të forta nga opinioni publik dhe aktivistët për mbrojtjen e kafshëve.

Reagimi i Bashkisë së Tiranës: Ristani premton hetim të plotë dhe transparencë

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, reagoi përmes një deklarate publike (foto më sipër), ku shprehu keqardhjen për situatën dhe njoftoi nisjen e menjëhershme të një procesi verifikimi:

“Shprehim shqetësimin dhe keqardhjen tonë të thellë për situatën e krijuar. Kemi nisur menjëherë një proces të plotë verifikimi me qëllim sqarimin e çdo rrethane.”

Ristani deklaroi se mirëqenia e kafshëve është “parim themelor” i punës së bashkisë, duke theksuar se programet e qytetit janë përqendruar te kastrimi, vaksinimi dhe trajtimi me standarde profesionale.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve dhe organizatave të mbrojtjes së kafshëve për qetësi, duke garantuar transparencë të plotë:

“Do të komunikojmë sërish sapo të kemi përfunduar hetimin dhe të kemi një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur. Tiranë është e të gjithëve dhe veprimet kriminale nuk do të tolerohen në asnjë rast.”

Reagimi i forte i juristes së PD-së, Adriana Kalaja: “Po përgatis kallëzimin penal. Hajde edhe ti, deri në fund”

Nga ana tjetër, juristja dhe aktivistja për të drejtat e kafshëve, Adriana Kalaja, publikoi një reagim të ashpër në Facebook, duke akuzuar disa punonjës të bashkisë si përgjegjës për akte mizorie ndaj kafshëve.

Kalaja listoi disa emra të personave që ajo i quan “bastardë vrasës” dhe njoftoi se po përgatit një tjetër kallëzim penal kundër tyre:

“Ju e dini dashurinë që kam për 4-putroshat dhe urrejtjen për dhunuesit e vrasësit e tyre. Ndaj duhet të jemi bashkë për t’i mbrojtur këto qenie kaq besnike e fisnike. Unë do jem. Hajde edhe ti. Deri në fund.”

Ajo shtoi se një shtet tregojnë nivelin e tij edhe nga mënyra se si i trajton kafshët, duke bërë thirrje për bashkim qytetar për të ndëshkuar çdo akt mizorie.

Pas publikimit të denoncimit për helmimin e kafshëve endacakë në rrugët e Tiranës, Agjencia e Mbrojtjes së Kosumatorit doli me një reagim zyrtar ku konfirmon se Dhimitër Papa, personi i identifikuar në pamjet filmike, është punonjës i kësaj agjencie dhe se ai është pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave. Në videot të siguruara nga Piranjat.al, shihet qartë Dhimitër Papa, së bashku me 2 punonjëse të tjera të AMK-së, duke mbajtur një qese me ushqime të dyshuara me helm për kafshët, ndërsa kërkojnë një qen endacak që zakonisht lëviz në këtë zonë për të gjetur ushqim. Pak minuta më pas, qeni afrohet në vendin ku ishin hedhur ushqimet nga këta punonjës dhe i konsumoi ato. Sipas denoncuesve, brenda pak minutash, kafsha ka humbur jetën si pasojë e helmimit nga këto ushqime. Ngjarja ka ngritur reagime të forta nga qytetarë dhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve, të cilët kërkojnë që të hetohet, jo vetëm rasti, por edhe praktikat e ndjekura nga institucionet publike në menaxhimin e kafshëve endacake.

Çështja pritet të zbardhet në vijim

Bashkia ka premtuar raport të plotë pas verifikimeve, ndërsa aktivistët kërkojnë hetim të thelluar dhe masa të menjëhershme ndaj çdo punonjësi të përfshirë.

Ngjarja ka ndezur një debat të gjerë mbi menaxhimin e kafshëve endacake, standardet e bashkisë dhe përgjegjësitë institucionale, ndërsa rrjetet sociale vazhdojnë të shpërndajnë pamje dhe dëshmi mbi rastin.

Në datë 20 nëntor ora 11 është thirrur edhe protestë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu