Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka ndaluar një kamion me 25 ton misër që vinte nga Serbia, gjatë kalimit në doganën e Hanit të Hotit, në kufi me Malin e Zi.

Sipas burimeve, arsyeja e bllokimit lidhet me praninë e aflatoxinës B1 mbi normat e lejuara nga ligji shqiptar. Ndërsa për vendet e Bashkimit Europian, këto nivele konsiderohen brenda kufijve të lejuar, në Shqipëri kufijtë janë më të rreptë për shkak të standardeve të ndryshme ushqimore.

Kamioni kishte si destinacion final qytetin e Elbasanit, ndërsa sasia e misrit ishte për përdorim blegtoral. AKU ka urdhëruar refuzimin dhe moslejimin e hyrjes në vend të ngarkesës.

Burime nga terreni bëjnë të ditur se aksioni vijon, pasi po kryhen kontrolle të tjera në doganën e Hanit të Hotit, ku dyshohet se mund të ketë edhe sasi të tjera të ngjashme të misrit në procedurë verifikimi.

Ndërkohë, AKU Shkodër ka ndërhyrë edhe në një fermë qumështi në fshatin Trush, të bashkisë Shkodër, duke e bllokuar për shkak të parregullsive të konstatuara në inspektim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu