Aktorja e mirënjohur shqiptare, Tinka Kurti, po jeton aktualisht në një shtëpi për të moshuar në periferi të Tiranës. Lajmi ka ngjallur reagime dhe emocione të forta në opinionin publik, për shkak të statusit ikonik të artistes në historinë e kinematografisë shqiptare

Burime për Euronews Albania konfirmojnë se vendimi për të qëndruar në këtë ambient ka qenë vullneti i vetë aktores dhe është vetë ajo që paguan azilin.

Sipas të njëjtave burime, Tinka Kurti nuk është e panjohur me këtë ambient, pasi në të njëjtën vilë ka jetuar dhe xhiruar për gjashtë muaj filmin “Boldero në Vilën e Pleqve”. Gjatë atyre xhirimeve, ajo ka ndarë përditshmërinë me aktorë të tjerë dhe të moshuarit që banonin aty.

Në moshën 92-vjeçare, artistja gëzon përkujdesje të vazhdueshme nga personeli mjekësor dhe stafi i shtëpisë për të moshuar, ndërkohë që familjarët dhe miqtë e saj vijojnë të jenë të pranishëm me vizita dhe mbështetje morale.

Shteti i siguron pension të posaçëm, por shpenzimet për qëndrimin e saj mbulohen nga vetë aktorja dhe familjarët e saj, të cilët kanë qenë të përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në kujdesin ndaj saj.

Tinka Kurti është një nga figurat më të rëndësishme të skenës dhe ekranit shqiptar, me një karrierë që shtrihet në mbi 60 vite.

Ajo ka interpretuar në më shumë se 50 filma artistikë dhe mbi 150 shfaqje teatrale, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm, ajo është e dekoruar me titujt ‘Nderi i Kombit’ dhe ‘Artistja e Popullit’ dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” nga Presidenti i Republikës./euronews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu