
Kilmer ndërroi jetë të martën në Los Angeles si pasojë e pneumonisë, konfirmoi vajza e tij, Mercedes, për mediat amerikane, raporton BBC. Aktori ishte diagnostikuar me kancer në fyt në vitin 2014, por më vonë u shërua.
I lindur në Los Angeles në vitin 1959, Kilmer pati një karrierë të jashtëzakonshme që e katapultoi në radhët e aktorëve më të njohur të Hollywood-it. Ai u bë i famshëm në vitet 1980 dhe ‘90 falë roleve të tij në disa nga filmat më të mëdhenj të asaj periudhe.
Debutimin e tij të madh në ekran e pati me filmin komik “Top Secret!” (1984), ndërsa fama globale erdhi me rolin e tij si Iceman në filmin e kultit “Top Gun” (1986), ku luajti përkrah Tom Cruise. Ai riktheu këtë rol në vazhdimin e suksesshëm “Top Gun: Maverick” (2023), duke ndarë një moment të paharrueshëm në ekran me Cruise.
Në vitin 1995, Kilmer veshi mantelin e superheroit në “Batman Forever”, duke interpretuar rolin e Bruce Wayne. Përveç karrierës në kinema, ai pati edhe një prani të rëndësishme në teatër, duke qenë ndër të rinjtë e parë të pranuar në Juilliard School.
Kilmer ndau historinë e tij personale në dokumentarin “Val” (2021), një rrëfim i sinqertë mbi jetën dhe sfidat e tij shëndetësore.
Aktori ishte i martuar me Joanne Whalley, me të cilën pati dy fëmijë, Mercedes dhe Jack. Ai la pas familjen e tij dhe një trashëgimi të pasur në botën e kinematografisë.