Me urdhër të SPAK (Struktura e Posaçme AntiKorrupsion), agjentët e BKH-së (Byroja Kombëtare e Hetimit) kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm, 16 dhjetor, në zonën e Kodrës së Diellit.

Janë lëshuar disa urdhër-arreste, për abuzim me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Raportohet se është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. E njëjta masë për zëvendësen e saj, Hava Delibashi, ndërsa ajo e “arrestit me burg” për biznesmenët Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Ndalohet dalja jashtë vendit për tre biznesmenë të tjerë, Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta.

Ata akuzohen për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, megjithatë pritet një njoftim zyrtar nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

Masa e “pezullimit të ushtrimit të detyrës” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” është caktuar për zëvendësdrejtorin e Policisë Tiranë, Erion Ismaili. Masa më të lehta sigurimi për efektivë të Policisë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë skemë.

Hetimi për çështjen ka nisur prej më shumë se 1 viti dhe këtë të martë janë dokumentuar e janë sekuestruar një sërë provash pas kontrolleve në banesa.

Kontrollet vijojnë ende dhe raportohet se ka pasur një përplasje mes BKH-së dhe forcave të Policisë së Shtetit sa i takon ekzekutimit të masave.

Abuzim në 12 procedura tenderuese

“Prokuroria e Posaçme ka dyshime të forta se kemi të bëjmë me korrupsion, pastrim parash, abuzim me detyrën, dyshime për kanosje dhe kërcënime për biznesmenë të ndryshëm që të tërhiqeshin nga gara, sa i përket 12 procedurave tenderuese me vlerë disa miliona euro. Të gjitha procedurat tenderuese kanë të bëjnë me pajisje që janë blerë për mirëmbajtjen e serverave dhe sistemeve. Ka prova të forta se kemi të bëjmë me paracaktim tenderash dhe ndikim të paligjshëm”, raportoi Daci.

“Ka dyshime se disa prej personave të përfshirë janë larguar jashtë vendit”, shtoi ajo, referuar të dhënave paraprake.

Kujtojmë se Karçanaj u paraqit në SPAK më 3 dhjetor, ku qëndroi rreth 3 orë. Atë ditë u raportua se ajo ka dhënë dëshmi sa i takon hetimeve për shkelje dhe keqpërdorime në procedura tenderash brenda institucionit që ajo drejton./klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu