
Detaje të reja janë bërë publike nga policia në lidhje me aksidentin e rëndë rrugor te ura e Dajlanit, ku humbi jetën 18 vjeçarja Vikena Greku.
Policia Rrugore njofton se në vijim të veprimeve hetimore të kryera menjëherë pas ngjarjes, është arrestuar në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi Arbër Xhaxhaj, 26 vjeç, në mjetin e të cilit udhëtonte viktima.
Sipas policisë, 26-vjeçari akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Nga hetimet ka rezultuar se i riu ka humbur kontrollin mbi automjetin në gjendje të dehur, duke u përplasur fillimisht me barrierat anësore të urës dhe më pas automjeti ka rënë nga mbikalimi.
Drejtuesi i mjetit vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar në banesat e tyre.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.






