
Divjakë, 24 Qershor 2025 – Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mesditën e sotme në fshatin Kamenicë të bashkisë Divjakë, ku për pasojë ka humbur jetën një i mitur.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30, kur një automjet i drejtuar nga shtetasi R. Ç. është përplasur me një motomjet që drejtohej nga një 15-vjeçar. Përplasja ka qenë fatale për të miturin, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ku po kryhen procedurat hetimore dhe po merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të përplasjes.
Ky është një tjetër rast tragjik që rikthen në vëmendje nevojën për rritjen e kujdesit në rrugë, veçanërisht në zonat rurale dhe me prani të lartë të përdoruesve të motomjeteve.