Një tjetër aksident i rëndë rrugor ka tronditur vendin në ditët e para të vitit 2026. Dy automjete janë përplasur mëngjesin e sotëm në aksin Lezhë–Shkodër, duke sjellë si pasojë vdekjen e një çifti bashkëshortësh dhe plagosjen e tre personave të tjerë.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Shtetit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00, në segmentin Lezhë–Mabë, në vendin e quajtur Gocaj. Viktimat janë identifikuar si Petrit Florini (53 vjeç), efektiv policie, dhe Elona Florini (45 vjeç), mësuese, të dy nga Puka.

Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur bashkëshortja e drejtuesit të mjetit tjetër si dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.

Në vendngjarje ndërhynë shërbimet zjarrfikëse për nxjerrjen e trupave të pajetë nga automjeti, ndërsa ekipet mjekësore dhe policia kryen veprimet e para. Grupi hetimor po vijon punën për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Ndërkohë, temperatura e ulëta dhe ngricat në Rrugën e Kombit kanë shkaktuar një tjetër aksident, ku një autobus është përmbysur në afërsi të Rrëshenit.

Një tjetër aksident është shënuar edhe në rrethrrotullimin e Savrës ku janë përfshirë dy mjete tip Benz ndërsa nuk ka pasur lëndime në njerëz, vetëm dëme materjale.

Edhe fillimi i vitit nisi me një aksident tragjik në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur “Bypass”. Nga përplasja e dy automjeteve, tre persona Klejdi Myftari, 24 vjeç, Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, dhe Martin Dulaj, 25 vjeç humbën jetën. E plagosur mbeti e fejuara e Dulajt, Arsida Demiri, 19 vjeçe, u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Njoftimi i policisë:

Lezhë / Informacion paraprak/ Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu