
Një automjet tip Audi është përfshirë në një aksident në daljen jugore të Lushnjës, pak minuta pas mesnatës. Mjeti, i drejtuar nga Aleksandro Braholli, është përplasur me një shtyllë ndriçimi në rrethrrotullimin e Savrës.
Sipas informacioneve paraprake, nga goditja e fortë drejtuesi ka marrë lëndime serioze dhe është transportuar menjëherë në spitalin e Fierit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e para të policisë, dyshohet se i riu nuk ka vënë re rrethrrotullimin, dhe duke dalë nga qyteti i Lushnjës ka vijuar drejt në aksin rrugor, duke u përplasur drejtpërdrejt me shtyllën. Përplasja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në automjet dhe lëndimin e drejtuesit.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.







